Një tentativë grabitjeje në Stamboll përfundoi në mënyrë të pazakontë, pasi një hajdut i dyshuar mbeti i varur në dritaren e një apartamenti, rreth tre metra mbi tokë, teksa përpiqej të hynte brenda.
Sipas mediave greke, i dyshuari iu afrua një pallati pesëkatësh dhe, pasi vuri re praninë e një roje sigurie, tentoi të futej në një prej apartamenteve duke u ngjitur deri te dritarja. Por plani i tij dështoi dhe ai mbeti i bllokuar, pa mundur të hynte në banesë apo të zbriste.
Kalimtarët që panë situatën njoftuan policinë dhe zjarrfikësen. Këta të fundit mbërritën në vendngjarje dhe arritën ta nxirrnin burrin nga pozicioni ku kishte mbetur i bllokuar.
Pas shpëtimit, ai iu dorëzua policisë, e cila bëri arrestimin e tij. Ndërkohë, momentet kur i dyshuari qëndronte i varur në dritare janë filmuar nga kalimtarët dhe pamjet janë shpërndarë në rrjetet sociale.











