Bayern Munich është ndalur në një barazim spektakolar 3-3 ndaj Viking në transfertë, në një sfidë ku skuadra norvegjeze i rezistoi deri në fund gjigantëve bavarezë.
Vendasit e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte dhe kaluan në avantazh që në minutat e para. Stensness shënoi me kokë pas një goditjeje këndi, duke mposhtur Urbig, i cili zëvendësoi të dëmtuarin Manuel Neuer.
Bayern mori kontrollin e lojës dhe u hodh në kërkim të barazimit, por Viking shfrytëzoi hapësirat në kundërsulm. Christiansen doli përballë portierit dhe realizoi golin e dytë, duke ndezur stadiumin.
Megjithatë, Harry Kane riktheu Bayernin në lojë. Sulmuesi anglez realizoi dy herë brenda gjashtë minutash, fillimisht nga pika e bardhë dhe më pas me kokë pas një krosimi të Joshua Kimmich, duke vendosur baraspeshën 2-2.
Bavarezët vazhduan presionin dhe arritën ta përmbysnin ndeshjen. Kane nisi aksionin, Laimer dërgoi topin në zonë dhe Luis Díaz realizoi për 3-2.
Por drama nuk kishte përfunduar. Michael Olise u ndëshkua me karton të kuq pasi goditi Tripic në fytyrë me top, duke e lënë Bayern Munich me dhjetë lojtarë.
Viking përfitoi nga epërsia numerike dhe Haugen realizoi golin e barazimit 3-3, duke i dhënë skuadrës norvegjeze një pikë të madhe ndaj një prej favoritëve të Champions League.











