UNICEF ka paralajmëruar se një basen për grumbullimin e ujërave të shiut në qytetin e Gazës rrezikon të dalë nga shtrati, pasi Izraeli ka refuzuar hyrjen e pajisjeve të nevojshme për riparimin e tij. Bëhet fjalë për basenin Sheikh Radwan, i cili është dëmtuar dhe ndotur me ujëra të zeza, duke krijuar rrezik për përmbytje dhe përhapje sëmundjesh mes banorëve.
James Elder, zëdhënës i UNICEF-it, tha se organizata kishte punuar prej një viti me autoritetet izraelite dhe Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump për një projekt riparimi me vlerë 3 milionë dollarë. Megjithatë, agjencia izraelite COGAT, përgjegjëse për koordinimin e çështjeve humanitare në Gaza, e ka refuzuar projektin ditët e fundit.
Paralajmërimi vjen pas reshjeve të dendura që kanë përmbytur kampet e të zhvendosurve në enklavë, ku pjesa më e madhe e popullsisë jeton në tenda. UNICEF thotë se pa ndërhyrje urgjente, përmbytjet mund të përkeqësojnë kushtet e jetesës dhe të rrisin rrezikun e sëmundjeve, veçanërisht për fëmijët.











