Samuel Umtiti ka komentuar momentin e vështirë që po kalon Vinicius Junior te Real Madrid, duke pranuar se forma e brazilianit është shumë larg asaj që kishte treguar në sezonet e tij më të mira.
Ish-mbrojtësi i Barcelonës, tashmë pjesë e analizave të “RMC Sport”, foli pas paraqitjes së Vinicius ndaj AEK në Athinë.
“Më vjen keq për të. Vinicius nuk është në nivelin e tij më të mirë prej javësh, muajsh, madje edhe prej disa sezonesh. Nuk ka më atë besim që kishte dikur në krahun e majtë. Më parë, kur merrte topin, e dije se do të krijonte rrezik. Tani nuk e ka më këtë”, deklaroi Umtiti.
Francezi e njeh mirë Vinicius, pasi është përballur disa herë me të në “El Clásico”, dhe mendon se sulmuesi i Real Madridit ka humbur një pjesë të frikës që dikur u shkaktonte mbrojtjeve kundërshtare.
“Edhe në prekjen e fundit ka vështirësi. Humb shumë topa dhe nuk tremb më si më parë.”
Umtiti ngriti gjithashtu një tjetër çështje: konkurrencën me Diomande.
Sipas tij, aktivizimi i vazhdueshëm i Vinicius në të majtë e detyron Diomande të luajë në krahun e djathtë, një pozicion ku nuk arrin të shfaqë të njëjtin nivel.
“Çfarë bëjmë me Vinicius? Ose krijojmë një konkurrencë të qartë mes tyre dhe luan ai që është më në formë, ose ekziston një hierarki që thotë se Vinicius do të vazhdojë të luajë në të majtë.”
Pavarësisht se Real Madrid po merr rezultate, Umtiti mendon se individualisht Vinicius nuk po arrin të bëjë diferencën si dikur, as në La Liga dhe as në Champions League.
Ish-lojtari i Barcelonës e lidh rënien e formës edhe me zhgënjimin pas humbjes së “Topit të Artë” në vitin 2024.
“Që prej atij momenti duket se është ndikuar. Po e kemi të vështirë të shohim sërish atë Vinicius elektrik dhe të paparashikueshëm në krahun e majtë.”











