Adriatik Lapaj, kryetar i partisë “Shqipëria Bëhet”, u shpreh me tone të ashpra në emisioni TPZ ndaj ish-aleatit Endri Shabani, me të cilin u përça pas zgjedhjeve të kaluara.
Ai e cilësoi atë një surrogato që u shit te pushteti.
Lapaj thotë se dy herë e ka rrefuzuar personalisht kërkesën e kryeministrit Edi Rama për t’u bërë zëvendëskryeministër, ndërkohë që shton se edhe sot e kësaj dite ia ofrojnë këtë post.
“Për mua politika duhet të jetë shpresa edhe për atë pacientin e spitalit onkologjik që nuk ka ilaçe.
Politika për mua është që fëmijët të mos ikin më nga Shqipëria. Sot mosha mesatare ka shkuar 45 vjeç. Nëse presim që Shqipërinë ta bëjmë vetëm, nuk ka më popull. Sot po lindin 23 mijë, po vdesin 23 mijë. Ky vend nuk do të ekzistojë më pas 30 vitesh.
Ne që jemi këtu, a mund t’u japim shpresë njerëzve, një rreze drite, që të thonë se po, ka djem që lënë mënjanë egon për të rrëzuar një regjim që po rrezikon atdheun? Atdheu është më i rëndësishëm se ne.
Ju më thoni mua që del një surrogato që shkon e shitet te pushteti, e të mbaj unë përgjegjësi. Ti duhet të më thuash: “Bravo, Adriatik, që nuk pranove të shkoje zv.kryeministër”. Refuzova dy herë kryeministrin. Edhe sot më vijnë dhe u them përherë JO. Doni ta mendoni politikën si snobizëm? Hajde ta pranojmë”- u shpreh Lapaj.











