Familja Bellingham ka një tjetër arsye të madhe për të festuar. Jobe Bellingham është grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren e Anglisë, duke iu bashkuar vëllait të tij të madh, Jude, një prej emrave kryesorë të “Tre Luanëve”.
Trajneri Thomas Tuchel e përfshiu mesfushorin e Borussia Dortmund në listën për ndeshjet ndaj Kroacisë më 12 nëntor dhe Spanjës më 15 nëntor.
“Është një arritje e jashtëzakonshme për familjen dhe për dy vëllezërit. E pashë menjëherë emocionin dhe buzëqeshjen e tij”, deklaroi Tuchel.
Jobe, 19 vjeç, ka ndjekur një rrugëtim që të kujton shumë atë të Jude. Të dy u formuan te Birmingham City, përpara se të kalonin në Bundesliga dhe më pas të merrnin ftesën nga Kombëtarja e Anglisë.
Megjithatë, Jobe ka kërkuar gjithmonë të ndërtojë identitetin e tij. Ai mban emrin “Jobe” në fanellë dhe jo mbiemrin “Bellingham”, pikërisht për të treguar se dëshiron të ecë në rrugën e tij.
Edhe në fushë, dy vëllezërit kanë profile të ndryshme. Jobe luan më i tërhequr në mesfushë, është fizikisht shumë i fortë dhe i sigurt me topin, ndërsa Jude ka një rol më ofensiv dhe më të lirë.
Tuchel theksoi se Jobe e kishte merituar thirrjen pas paraqitjeve të mira me Dortmundin.
“Ai ka gjetur ritmin e tij. Ka bërë një fillim shumë të mirë sezoni, luan rregullisht dhe ka ndikim të madh në skuadër. Tani i takon atij të lërë përshtypjen e tij.”
Jobe është aktualisht kapiten i Anglisë U-21, ndërsa trajneri Lee Carsley kishte kërkuar prej kohësh që ai të merrte një mundësi me ekipin e parë.
Nëse Jude dhe Jobe do të luajnë së bashku, ata do t’i bashkohen një liste të rrallë vëllezërish që kanë përfaqësuar Anglinë, ku përfshihen Gary dhe Phil Neville, si edhe Bobby dhe Jack Charlton.
Për Jobe, thirrja në Kombëtare është shpërblimi i një rritjeje të dukshme gjatë muajve të fundit, sidomos pas një fillimi të vështirë në Dortmund.
Tashmë, dy vëllezërit Bellingham kanë mundësinë të ndajnë të njëjtën fanellë edhe në nivelin më të lartë të futbollit ndërkombëtar.











