Disa organizata mediatike në Irlandë dhe Bullgari kanë marrë kërcënime për vendosjen e bombave, duke detyruar evakuimin e ndërtesave dhe ndërprerjen e përkohshme të transmetimeve. Mes mediave të prekura janë transmetuesi publik irlandez RTÉ dhe televizioni bullgar Nova TV. Edhe televizioni britanik Sky bëri të ditur se kishte marrë një kërcënim sigurie.
Në Irlandë, punonjësit dhe gazetarët e RTÉ u evakuuan nga selia e transmetuesit në Dublin, pasi një email paralajmëronte për një shpërthim të mundshëm. Policia mbërriti në vendngjarje dhe nisi kontrollet në ndërtesë, ndërsa transmetuesi kaloi përkohësisht në programe të regjistruara. Kërcënime morën edhe media të tjera irlandeze, përfshirë gazetën Irish Independent dhe radiot Newstalk e Today FM.
Kërcënimet ndaj mediave vijnë në një kohë kur dhjetëra fluturime në Evropë janë shënjestruar nga alarme të ngjashme gjatë ditëve të fundit, duke shkaktuar devijime avionësh dhe ndërhyrje të forcave të sigurisë. Deri tani nuk është gjetur asnjë pajisje shpërthyese dhe autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse të gjitha kërcënimet kanë të njëjtin burim. Hetimet vijojnë për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një fushatë të koordinuar.











