UEFA i ka vendosur FIFA-s një afat deri më 2 nëntor për të dorëzuar dokumente të rëndësishme dhe për t’iu përgjigjur një serie pyetjesh që lidhen me qeverisjen dhe proceset vendimmarrëse të institucionit të drejtuar nga Gianni Infantino.
Në një letër drejtuar FIFA-s, sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, thekson se një numër çështjesh themelore vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
“Disa pyetje vazhdojnë të jenë pa përgjigje dhe informacionet e dokumentet e kërkuara nuk janë dorëzuar”, thuhet në letër.
UEFA ka përgatitur tetë faqe me gjithsej 42 pyetje, që prekin disa tema, mes tyre projektin për investime private “Fifa Forward Enterprise”, Çmimin e Paqes të FIFA-s, çështjen disiplinore të Folarin Balogun dhe pretendimet për pagesa shtesë ndaj Infantinos.
Sipas UEFA-s, tërheqja e projektit FFE dhe pranimi i gabimeve nga Infantino nuk mjaftojnë për të shpjeguar mënyrën se si janë marrë vendimet dhe pse Këshilli i FIFA-s nuk është përfshirë në fazat përkatëse.
“Këto pyetje kërkojnë përgjigje tani. Nuk mund të shtyhen deri në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s dhe as reformat e ardhshme nuk mund të zëvendësojnë shqyrtimin e vendimeve që tashmë janë marrë”, shkruan UEFA.
Një pjesë e rëndësishme e pyetjeve lidhet me FFE-në dhe marrëdhënien me “Thrive Capital”. UEFA kërkon të dijë se kur nisi projekti, kush e autorizoi dhe pse kompania u përzgjodh si investitori kryesor pa një proces konkurrues.
Gjithashtu kërkohen sqarime për Çmimin e Paqes të FIFA-s, përfshirë mënyrën se si u krijua dhe procesin që çoi në dhënien e tij Donald Trump.
Në fokus është edhe rasti i Folarin Balogun, pezullimi i të cilit u rishikua pas një ndërhyrjeje publike të presidentit amerikan. UEFA kërkon të dijë se çfarë komunikimesh janë zhvilluar brenda FIFA-s dhe nëse çështja do të ishte rishikuar pa atë ndërhyrje.
Një tjetër pikë ka të bëjë me raportimet se Infantino mund të ketë marrë pagesa shtesë nga struktura amerikane e organizimit të Botërorit 2026. FIFA i ka mohuar më parë pretendimet për një “pagë të dytë”, ndërsa UEFA kërkon dokumentacion të plotë mbi natyrën dhe miratimin e çdo pagese.
UEFA ka ngritur gjithashtu pyetje për marrëdhëniet e FIFA-s me administratën amerikane, një marrëveshje për zyra në “Trump Tower”, diskutime të raportuara rreth një kriptomonedhe të FIFA-s dhe disa vendime të tjera të marra gjatë Botërorit.
Federata europiane nuk ka sqaruar se çfarë masash do të ndërmarrë nëse FIFA nuk e respekton afatin e 2 nëntorit, por presioni ndaj Infantinos po rritet në prag të procesit për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s.










