José Mourinho ka folur përpara ndeshjes së Real Madridit ndaj Leipzigut në “Santiago Bernabéu”, në kuadër të javës së tretë të Champions League.
Trajneri portugez vlerësoi kundërshtarin dhe kërkoi vazhdimësi pas rezultateve pozitive të fundit.
“Leipzig është një skuadër e madhe. Kemi fituar tri ndeshje në një periudhë të shkurtër dhe të fundit e fituam duke luajtur shumë mirë. Ishte një paraqitje shumë e plotë dhe duhet të vazhdojmë kështu.”
Mourinho u ndal edhe te arbitri i ndeshjes, duke e vlerësuar maksimalisht.
“Nesër kemi një arbitër serioz, të nivelit të lartë. Jam shumë i lumtur që e kemi në një ndeshje kaq të rëndësishme. Është një arbitër që nuk ka nevojë për VAR për të drejtuar një ndeshje.”
Sa i përket ambicieve të Real Madridit në Champions League, portugezi kërkoi të mos flitet ende për favoritë.
“Është shumë herët. Objektivi i parë është të kualifikohemi dhe më pas të shmangim ‘play-off’-in. Fillimisht duhet të arrijmë 11 ose 12 pikët që na sigurojnë kualifikimin dhe më pas të synojmë tetëshen e parë.”
Mourinho vlerësoi gjithashtu profesionalizmin e Jude Bellingham dhe Yan Diomande, duke përmendur kujdesin e tyre të vazhdueshëm për rikuperimin dhe punën individuale.
Trajneri u pyet edhe nëse pozicioni i Vinicius si titullar mund të vihet në diskutim.
“E vetmja gjë e paprekshme është stema. Nuk më pëlqen koncepti i një lojtari të paprekshëm. Ajo që e bën një lojtar të paprekshëm është paraqitja e tij në fushë.”
Për Arda Güler dhe Federico Valverde, Mourinho theksoi se të dy kanë aftësinë të luajnë në role të ndryshme, ndërsa zgjedhjet do të varen nga kundërshtari dhe nevojat e skuadrës.
Ai foli edhe për mundësinë që Mbappé dhe Espí të luajnë së bashku, duke e cilësuar një zgjidhje të mundshme vetëm në situata të caktuara të ndeshjes.
Në fund, Mourinho konfirmoi një zgjedhje për ndeshjen ndaj Leipzigut.
“Vinicius do të luajë nesër në krahun e majtë. Yan ende nuk e di nëse do të luajë apo jo.”











