Erik ten Hag ka rikthyer në vëmendje përplasjen e tij me Cristiano Ronaldon gjatë periudhës së përbashkët te Manchester United, duke kritikuar ashpër sjelljen dhe përgatitjen fizike të portugezit.
Në një intervistë për “The Athletic”, trajneri holandez deklaroi se Ronaldo nuk ishte në nivelin fizik që kërkohej dhe se kjo ndikonte drejtpërdrejt në paraqitjet e tij.
“Ai zhgënjeu skuadrën dhe më zhgënjeu mua. Shkova në Portugali për të folur me të përpara se të mbërrija te United. E respektoja shumë, por si trajner duhet të marrësh vendimet më të mira për skuadrën”, deklaroi Ten Hag.
Holandezi zbuloi gjithashtu se Ronaldo ishte lënë jashtë disa seancave stërvitore pasi të dhënat fizike nuk arrinin nivelet e kërkuara.
“I thashë: ‘Ronnie, të gjithë po punojnë që ti të luash në pozicionin tënd më të mirë, si qendërsulmues, por nëse nuk arrin të futesh në zonë, nuk mund të shënosh’. Nuk ishte në gjendje ta bënte. Është gënjeshtër që prisja prej tij të bënte presing. Ishte i lodhur dhe nuk mund ta bënte, por e vërteta është se nuk vraponte as pa top dhe as me top. Arsyeja ishte se nuk po përgatitej.”
Ten Hag theksoi se gjithmonë e ka konsideruar Ronaldon një legjendë të Manchester United dhe të futbollit, por sipas tij edhe lojtarët më të mëdhenj duhet të punojnë për skuadrën.
“Çdo skuadër e madhe duhet ta pranojë lojtarin elitar, por edhe lojtari elitar duhet të punojë për ekipin.”
Ai tregoi gjithashtu se disa lojtarë të United e shihnin Ronaldon si një shembull jo pozitiv, ndërsa portugezi kishte refuzuar edhe të kryente tri xhirot e fushës që ishin vendosur si ndëshkim pas humbjes 4-0 ndaj Brentford.
Marrëdhënia mes tyre u përkeqësua deri në pikën që Ronaldo u izolua nga grupi, ndërsa më pas të dy u larguan nga Manchester United.
Në një intervistë të mëvonshme, Ronaldo kishte deklaruar se ndihej “i tradhtuar” nga klubi dhe kishte sulmuar drejtpërdrejt Ten Hag.
“Nuk e respektoj sepse ai nuk më respekton. Nëse nuk më respekton, unë nuk do të të respektoj kurrë”, kishte deklaruar portugezi.











