Është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku, trupi i të cilit u gjet i pajetë brenda një pusete për kullimin e ujërave në zonën e Felloniche, në Longiano të Italisë.
Sipas mediave italiane, viktima ishte vrarë me disa të shtëna arme zjarri nga një distancë e afërt. Trupi i tij u zbulua pranë disa banesave, pjesërisht i fshehur brenda pusit, ndërsa dyshohet se kishte qëndruar aty prej disa ditësh.
Maxhallaku, banues në Gatteo, punonte si bojaxhi, ishte i martuar dhe kishte një fëmijë të vogël. Ai ishte zhdukur më 7 tetor, ndërsa një ditë më vonë makina e tij ishte gjetur e djegur plotësisht pranë zonës ku u zbulua trupi.
Sipas hetimeve paraprake, 31-vjeçari ishte larguar nga banesa për t’u takuar me një të njohur, por që prej asaj dite nuk ishte parë më. Pranë vendit ku u gjet trupi janë zbuluar edhe disa gëzhoja, të cilat po shqyrtohen nga ekspertët kriminalistikë.
Karabinierët po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e krimit dhe për të përcaktuar motivin e vrasjes.











