Një studim i ri shkencor sfidon bindjen e përhapur se fëmijët janë më krijues se të rriturit. Hulumtimi, i publikuar në revistën “PLOS One”, zbuloi se të rriturit prodhojnë ide më origjinale dhe më efektive në detyra krijuese, ndërsa fëmijët dallohen për vetëbesimin, motivimin dhe kënaqësinë që përjetojnë gjatë këtyre aktiviteteve.
Në studim morën pjesë 92 fëmijë të moshës parashkollore dhe 70 të rritur. Ata u përfshinë në tri detyra, ku duhej të vizatonin një krijesë mitologjike, të gjenin përdorime të pazakonta për një kanaçe dhe të bënin një vizatim të lirë. Punimet u vlerësuan nga studiues të pavarur për origjinalitetin, efektivitetin dhe nivelin e përgjithshëm të krijimtarisë. Të rriturit morën rezultate më të larta, veçanërisht në detyrat me objektiva dhe kufizime të përcaktuara.
Megjithatë, fëmijët treguan më shumë vetëbesim dhe entuziazëm, si dhe më pak ankth gjatë ushtrimeve. Studiuesit theksojnë se perceptimi se fëmijët janë më krijues mund të vijë pikërisht nga spontaniteti dhe gatishmëria e tyre për të eksperimentuar, jo domosdoshmërisht nga cilësia e ideve që prodhojnë. Përfundimi nuk është se fëmijët nuk janë krijues, por se aftësia për të zhvilluar ide komplekse përmirësohet me moshën dhe përvojën.











