FIFA ka vijuar këtë të mërkurë inspektimet në Spanjë për stadiumet kandidate të Botërorit 2030.
Delegacioni teknik vizitoi fillimisht “La Romareda” në Zaragoza, ku punimet janë disi pas planit, por projekti pritet të përfundojë brenda afatit të kërkuar nga FIFA, në vitin 2029.
Pas Zaragozës, radha është e Madridit. Delegacioni do të vizitojë “Santiago Bernabéu” të enjten dhe “Metropolitano” një ditë më vonë, ndërsa do të pritet edhe nga presidenti i Federatës Spanjolle, Rafael Louzán.
Vëmendja më e madhe është te Bernabéu, që konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për të pritur finalen e Botërorit 2030.
Në garë është edhe “Camp Nou”, që është inspektuar tashmë dhe plotëson kërkesat, ndërsa Maroku synon finalen me stadiumin e ri “Hassan II”, ende në ndërtim pranë Casablancës.
FIFA ka përfunduar gjithashtu vizitat në tri stadiumet e Portugalisë, ndërsa pritet të inspektojë Marokun përpara fundit të muajit.
Përzgjedhja përfundimtare e qyteteve pritëse pritet të konfirmohet në tremujorin e dytë të vitit 2027.











