Çdo pushim ndërkombëtar sjell të njëjtin debat: lojtarë që luajnë rregullisht me klubet e tyre, por më pas mungojnë me Kombëtaret për shkak të problemeve fizike.
Në nëntor 2026, emra si Kylian Mbappé, Lamine Yamal, Cole Palmer, Virgil van Dijk, Aurélien Tchouaméni dhe Marcus Thuram janë përfshirë në situata të tilla, duke rikthyer diskutimin mbi ngarkesën fizike dhe marrëdhënien gjithnjë e më delikate mes klubeve dhe Kombëtareve.
Rasti i Lamine Yamal ka tërhequr veçanërisht vëmendjen në Spanjë. Talenti i Barcelonës qëndroi në klub për t’u rikuperuar nga shqetësimet në gjurin e djathtë dhe do të mungojë ndaj Çekisë. Situata vjen një vit pas përplasjes së fortë mes Barcelonës dhe Federatës Spanjolle për mënyrën se si u menaxhua një tjetër problem fizik i tij.
Edhe Mbappé do të mungojë ndaj Italisë për shkak të shqetësimeve në kofshë. Kapiteni i Francës ka pasur edhe më parë episode ku ishte i disponueshëm për Real Madridin, por jo për Kombëtaren, çka ka nxitur shumë diskutime në Francë.
Cole Palmer, ndërkohë, është përballur me pasoja sportive. Pas disa mungesave në grumbullimet e Anglisë, Thomas Tuchel vendosi këtë herë ta linte jashtë edhe pse lojtari ishte i gatshëm fizikisht, duke preferuar futbollistët që kishin qenë rregullisht pjesë e skuadrës.
Raste të tjera janë më të qarta. Tchouaméni u largua nga grumbullimi i Francës pas një problemi në aduktor, ndërsa Thuram u rikthye te Interi pasi stafi mjekësor francez, klubi dhe vetë lojtari ranë dakord që ai të mos rrezikonte.
Në këtë debat hyjnë edhe futbollistë që kanë zgjedhur hapur të kufizojnë angazhimet me Kombëtaren. Thibaut Courtois ka vendosur të mos luajë në Nations League këtë sezon, ndërsa Marcel Sabitzer ka marrë një pauzë të përkohshme nga Austria për shkak të ngarkesës së madhe.
Futbolli modern ka një kalendar gjithnjë e më të ngjeshur dhe lojtarët më të mirë përballen me kampionate, kupa, Champions League dhe ndeshje ndërkombëtare pothuajse pa pushim.
Prandaj pyetja mbetet e hapur: janë këto thjesht pasoja të natyrshme të mbingarkesës, apo klubet dhe lojtarët po bëhen gjithnjë e më selektivë për ndeshjet ku ia vlen të rrezikojnë?











