Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në lagjen “5 Maji”, në Elbasan.
Siç njofton policia, rreth orës 04:05 të mëngjesit të kësaj të hëne, pesë persona ende të paidentifikuar janë futur për të grabitur një banesë.
Por rasti nuk mbaron me kaq.
Të maskuar si policë dhe të pajisur me armë zjarri, autorët kanë hyrë në banesë në një moment kur familjarët ishin në gjumë, duke kërcënuar pronarin dhe duke kërkuar fillimisht armë e drogë, e më pas para dhe sende me vlerë.
Pronari i banesës, ka rrëfyer për mediat momentet e frikshme, duke treguar se grabitësit e kanë kërcënuar me armë, ndërsa nipit të tij i kanë vendosur pistoletën në kokë.
“Ngjarja ka ndodhur në 4 të mëngjesit. Ishim duke fjetur gjumë. Të maskuar si policë më thanë mos lëviz, ‘Policia’. Në fillim më thanë ku e ke pistoletën dhe drogën, pastaj më pyetën ku i kisha lekët. Nipit i vunë pistoletën në kokë. E gjithë ngjarja zgjati për 15 minuta. Në shtëpi kishim 6 fëmijë, janë traumatizuar. Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë”, ka deklaruar Lorenc Zerellari.
Edhe nipi 19-vjeçar ka treguar për frikën e përjetuar gjatë grabitjes, duke deklaruar se autorët e kanë goditur me pistoletë.
Familjarët kanë rrëfyer për mediat se ngjarja ka shkaktuar panik, veçanërisht te fëmijët që ndodheshin në banesë.
Sipas Policisë, autorët kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash. Ndërkohë, familjarët kanë deklaruar se u janë vjedhur rreth 3 mijë euro dhe tre telefona. Vlera e plotë e sendeve të grabitura pritet të përcaktohet gjatë hetimeve.
Pas largimit të autorëve, familjarët kanë dhënë alarmin dhe janë vënë në ndjekje të tyre.
Sapo kanë konstatuar praninë e efektivëve të Policisë, grabitësit janë larguar drejt një zone kodrinore, duke braktisur automjetet dhe duke përfituar nga errësira. Sipas raportimeve, ata janë ndjekur edhe nga një patrullë policie.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e pesë personave të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.











