Qëndrimi për orë të tëra përpara telefonit apo kompjuterit po i vendos gjithnjë e më shumë stres qafës dhe pjesës së sipërme të shpinës. Sipas BBC Future, kur qëndrojmë të përkulur dhe e mbajmë kokën të shtyrë përpara, ngarkesa mekanike mbi qafë mund të rritet ndjeshëm, duke shkaktuar ngurtësi dhe dhimbje.
Neurokirurgu britanik Anthony Ghosh rekomandon më shumë lëvizje gjatë ditës dhe pushime nga ekranet, në vend që të mbështetemi vetëm te pajisjet ergonomike. “Shtylla kurrizore thjesht do të lëvizë”, shprehet ai, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lëvizshmërisë dhe forcës së muskujve.
Ndër ushtrimet e sugjeruara janë kthimi i kokës majtas dhe djathtas, mbajtja e qafës në pozicion neutral dhe korrigjimi i të ashtuquajturit “mjekër e shtyrë përpara”. Për forcimin e muskujve të thellë të qafës, një tjetër ushtrim bëhet shtrirë në shpinë: mjekra afrohet lehtë drejt gjoksit dhe koka ngrihet pak nga sipërfaqja, duke synuar gradualisht një mbajtje deri në 30 sekonda.
Ekspertët theksojnë se ushtrimet duhet të bëhen gradualisht dhe pa dhimbje. Për personat që kanë dhimbje të vazhdueshme ose probleme të diagnostikuara të qafës, këshillohet konsultimi me mjekun ose fizioterapistin përpara nisjes së një rutine të re ushtrimesh.











