Një 31-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik në Itali, ndërsa tre fëmijë që udhëtonin në të njëjtën makinë kanë mbetur të plagosur.
Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, banore e Prata di Pordenone.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e 22 nëntorit, rreth orës 11:00, në zonën e Prata di Pordenone. E reja po shoqëronte fëmijët drejt Villanova-s, ku do të merrnin pjesë në festën e 10-vjetorit të ditëlindjes së nipit të saj.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga karabinierët, automjeti tip “Ford Fiesta” humbi kontrollin në një kthesë, për shkak të lagështirës në rrugë nga reshjet e shiut.
Makina doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë betoni, e cila u shemb dhe depërtoi në pjesën e përparme të automjetit. Përplasja ishte aq e fortë sa makina përfundoi e përmbysur mbi strukturën prej betoni.
Emanuela mbeti e bllokuar në automjetin e shkatërruar. Zjarrfikësve iu desh të ndërhynin për ta nxjerrë, ndërsa ekipet mjekësore i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje.
Ajo u transportua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, por ndërroi jetë pak pas mbërritjes, rreth orës 12:30.
Në automjet ndodheshin edhe tre të mitur: djali 6-vjeçar i 31-vjeçares, vajza e saj 4-vjeçare dhe një shoqe e tyre 10-vjeçare. Sipas raportimeve, fëmijët arritën të dilnin vetë nga makina pas aksidentit.











