Xhemal Ismailaj, 40 vjeç, dhe Mateo Merdanaj, 25 vjeç, dy prej personave të plagosur nga shpërthimi i skafit në Porto Palermo, po marrin trajtim në shërbimin e djegie- plastikës në QSUT. Sipas burimeve, të dy kanë pësuar djegie të shumta në pjesë të ndryshme, të cilat përfshijnë rreth 50% të trupit.
Aktualisht gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar, por për shkak të plagëve të rënda që kanë marrë, rikuperimi dhe rehabilitimi pritet të kërkojnë kohë. Të dy vijojnë të jenë nën monitorim të vazhdueshëm.
Dy të lënduarit e tjerë, 18-vjeçari Aleks Doda dhe 38-vjeçari Ardinant Qeziu, ndodhen në Spitalin e Vlorës.
Ngjarja ndodhi kur të katërt po punonin për riparimin e motorit të skafit teksa ndodheshin në det. Në rrethana ende të paqarta, ku dyshohet që shkak të jetë bërë rrjedhja e benzinës, motori është përfshirë nga flakët dhe më pas ka ndodhur shpërthimi.
Në një video të siguruar nga Report Tv, të lënduarit janë hedhur në ujë pas incidentit dhe kanë notuar drejt një skafi që ndodhej aty pranë, për t’i ardhur në ndihmë. Pranë u janë gjendur edhe dy gomone, ndërsa më pas mbërriti edhe ambulanca.
Autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.











