Ish-Miss Zvicra, Beatrice Keul, akuzon presidentin amerikan Donald Trump se e ka përdhunuar në hotelin Plaza në Nju Jork, në nëntor të vitit 1993. Pretendimi përfshihet në një raport të publikuar nga demokratët e Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili shqyrton lidhjet e pretenduara të Trumpit me rrjetin e abuzimit seksual të Jeffrey Epstein.
Sipas raportit, Keul ishte 24 vjeçe në atë kohë dhe punonte si modele, si dhe në sektorin e shërbimeve financiare. Ajo ishte ftuar të merrte pjesë në konkursin e bukurisë Donald J. Trump American Dream Pageant, të zhvilluar në nëntor 1993 në Atlantic City dhe Nju Jork.
Si pretendohet se ndodhi ngjarja?
Sipas dëshmisë së saj të përfshirë në raport, gjatë një dreke me përfaqësues të medias në hotelin Plaza, Trumpi iu afrua dhe i premtoi se do ta ndihmonte të siguronte vizë dhe të pranohej në Universitetin e Nju Jorkut (NYU).
Më vonë, edhe Jeffrey Epstein thuhet se iu afrua me premtime të ngjashme dhe e ftoi në një festë në rezidencën Mar-a-Lago.
Po atë ditë, një përfaqësues i Trumpit dyshohet se e ftoi Keulin në një suitë të hotelit për t’u takuar me të. Sipas raportit, ajo pretendon se Trumpi e sulmoi seksualisht dhe e përdhunoi, duke i shqyer fustanin dhe duke i shkaktuar gjakderdhje e mavijosje.
Pas ngjarjes së pretenduar, Trumpi thuhet se i përsëriti premtimet për ta ndihmuar me vizën dhe studimet, duke i kërkuar të mos tregonte se çfarë kishte ndodhur. Sipas raportit, ai i kishte thënë: “Shfaqja duhet të vazhdojë”.
Keul u kthye në Zvicër dhe më vonë refuzoi të merrte pjesë në një tjetër konkurs të organizuar nga Trumpi në Havai.
Reagimi i Shtëpisë së Bardhë
Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë akuzat. Zëdhënësja Lauren Bis i cilësoi ato si të pavërteta dhe deklaroi se raporti është një përpjekje politike e demokratëve për të larguar vëmendjen nga arritjet e Trumpit.
Ajo përsëriti gjithashtu qëndrimin e administratës se Trumpi e kishte larguar Jeffrey Epstein nga klubi i tij Mar-a-Lago për shkak të sjelljes së tij.
Deri më tani, Trumpit nuk i janë ngritur akuza penale lidhur me pretendimet e Beatrice Keul.
Çfarë dihet për çështjen E. Jean Carroll?
Raporti përmend edhe raste të tjera, përfshirë padinë e Jill Harth të vitit 1997 dhe çështjen e shkrimtares E. Jean Carroll, e cila e akuzoi Trumpin për sulm seksual në një dyqan në Nju Jork gjatë viteve 1990.
Në maj të vitit 2023, një juri në një proces civil e shpalli Trumpin përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje ndaj Carroll. Juria nuk e shpalli përgjegjës për përdhunim sipas përcaktimit ligjor të zbatuar në atë çështje. Trumpi u urdhërua t’i paguante asaj 5.6 milionë dollarë dëmshpërblim.
Në një çështje tjetër për shpifje, ai u urdhërua të paguante 83 milionë dollarë. Trumpi i ka kundërshtuar vendimet.











