Një ditë e vështirë për Kylian Mbappé pas ceremonisë së Topit të Artë. Vetëm pak orë pasi përfundoi i dyti pas Harry Kane në garën për çmimin individual, francezi është përfshirë në një polemikë të madhe në Kinë.
Sipas raportimeve të mediave franceze, dy kompani kineze, Dongpeng dhe Mengniu, kanë ndërprerë marrëveshjet e sponsorizimit me sulmuesin e Real Madridit pas një komenti të bërë prej tij në një video në rrjetet sociale.
Mbappé po komentonte disa nga montazhet dhe memet që qarkullonin për të në internet. Në një prej tyre ai ishte krahasuar me ish-diktatorin kongolez Mobutu, ndërsa më pas bëri shaka për një fotomontazh ku fytyra e tij ishte vendosur mbi atë të një “diktatori kinez”, referencë që sipas raportimeve lidhej me Mao Ce Dun.
Komenti shkaktoi reagime të forta në Kinë, ndërsa Dongpeng dhe Mengniu njoftuan ndërprerjen e bashkëpunimit me futbollistin.
Çështja raportohet se ka shkuar edhe më tej, pasi transmetimet e ndeshjeve të kampionatit spanjoll në Kinë janë pezulluar, duke e kthyer polemikën nga një problem personal i Mbappé në një çështje që prek edhe LaLiga-n.
Pas reagimeve, kapiteni i Francës publikoi një kërkimfalje.
“Komenti im ishte i papërshtatshëm dhe tani e kuptoj se ka lënduar shumë njerëz në Kinë dhe komunitetet kineze në mbarë botën. I kërkoj falje kujtdo që është ndier i ofenduar nga fjalët e mia. Nuk ishte aspak qëllimi im. Kam respekt të madh për popullin kinez dhe historinë e tij dhe më vjen sinqerisht keq”, deklaroi Mbappé.
Polemika vjen menjëherë pas një tjetër zhgënjimi për francezin, i cili përfundoi në vendin e dytë në Topin e Artë 2026, pas fituesit Harry Kane.











