Vullkani Etna në Siçili është riaktivizuar sot, duke shkaktuar sërish probleme në aeroportin e Katanias për shkak të përhapjes së hirit vullkanik në atmosferë dhe ndikimit në hapësirën ajrore.
Sipas autoriteteve italiane aktiviteti vullkanik ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe është intensifikuar gjatë ditës, duke krijuar një re hiri që është ngritur deri në rreth 1.5 kilometra mbi krater.
Për shkak të kushteve të krijuara, është vendosur mbyllja e përkohshme e një pjese të hapësirës ajrore në jug të vullkanit (sektori B2).
Autoritetet u bëjnë thirrje pasagjerëve që para se të nisen drejt aeroportit të verifikojnë statusin e fluturimeve me kompanitë ajrore, ndërsa priten përditësime të mëtejshme në varësi të zhvillimit të situatës.
Etna, me një lartësi prej rreth 3,300 metrash, është një nga vullkanet më aktivë në botë dhe ka shpërthime të shpeshta, të cilat shpesh ndikojnë në trafikun ajror në rajon.











