Carlo Ancelotti ka reaguar pas debatit të krijuar rreth ngarkesës së futbollistëve të Brazilit, veçanërisht situatës së Raphinhas, i cili është dëmtuar në tre grumbullimet e fundit me Kombëtaren.
Trajneri italian kërkoi të qetësojë klubet europiane, duke theksuar se asnjë lojtar nuk do të rrezikohet gjatë miqësoreve ndaj Japonisë dhe Singaporit.
“Prioriteti është gjithmonë shëndeti i lojtarit. Nëse është 100%, stërvitet. Nëse është 100%, luan. Ne monitorojmë edhe minutat e tij. Klubet mund të jenë të qeta”, deklaroi Ancelotti.
Vëmendja është përqendruar veçanërisht te Raphinha, pas raportimeve se Barcelona dhe Brazili kanë diskutuar menaxhimin e minutave të tij gjatë këtij grumbullimi.
Ancelotti foli gjithashtu për fazën e eksperimenteve te Brazili, e cila sipas tij po i afrohet fundit. Gjatë grumbullimeve të fundit janë provuar shumë futbollistë të rinj, ndërsa trajneri tashmë kërkon të krijojë një grup më të qëndrueshëm për ndeshjet zyrtare.
“Ky ishte një proces që na dha shumë informacion për lojtarët e rinj. Kemi shumë talent dhe futbollistë të përkushtuar. Tifozët duhet të jenë të qetë, sepse do të ndërtojmë një grup shumë të fortë për të ardhmen”, shtoi italiani.
Për miqësoret ndaj Japonisë dhe Singaporit, Ancelotti ka grumbulluar pesë debutues, ndërsa disa emra të tjerë janë rikthyer në Kombëtare pas një periudhe mungese.











