Mauricio Pochettino është zyrtarisht trajneri i ri i Manchester United. Argjentinasi merr drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Michael Carrick dhe rikthehet kështu në Premier League.
Pochettino largohet nga Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara, me United që do të paguajë mbi tetë milionë euro për lirimin e tij nga kontrata.
Argjentinasi bëhet trajneri i 12-të që drejton Manchester United që prej largimit të Sir Alex Ferguson në vitin 2013 dhe i treti vetëm gjatë këtij viti, pas Rúben Amorim dhe Carrick.
Pochettino merr në dorë një skuadër në një moment tepër të vështirë. United ka regjistruar vetëm tri fitore këtë sezon dhe ndodhet në zonën e rënies nga Premier League, duke përjetuar nisjen më të dobët të një sezoni që prej edicionit 1986-87.
“Djajtë e Kuq” janë eliminuar gjithashtu nga Kupa e Ligës, ndërsa rezultatet e dobëta kanë shtuar presionin mbi drejtuesit dhe lojtarët.
Pochettino kishte rinovuar vetëm në gusht kontratën me SHBA-në deri në vitin 2030, por mundësia për të marrë drejtimin e Manchester United e bindi të rikthehej në futbollin e klubeve.
54-vjeçari e njeh shumë mirë Premier League, pasi më parë ka drejtuar Southampton, Tottenham dhe Chelsea. Eddie Howe dhe Julian Nagelsmann ishin gjithashtu në listën e drejtuesve, por United në fund zgjodhi argjentinasin.
Tashmë Pochettino përballet me një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij: të rikthejë stabilitetin dhe rezultatet në një Manchester United që prej vitesh kërkon formulën për t’u kthyer mes më të mirëve.











