Raheem Sterling po kalon një nga periudhat më të errëta të karrierës së tij. Ish-ylli i Manchester Cityt, dikur një nga lojtarët më të shtrenjtë dhe më të vlerësuar të Premier League, është aktualisht pa skuadër dhe po përballet me pasoja ligjore pas një incidenti të ndodhur në muajin maj.
Sterling u arrestua pasi doli nga rruga me Lamborghinin e tij në autostradën M3 në Hampshire. Në shtator, 31-vjeçari pranoi fajësinë për drejtim të rrezikshëm, posedim të oksidit të azotit për përdorim të papërshtatshëm dhe refuzim të testit të alkoolit. Dënimi i tij pritet të shpallet më 25 nëntor.
Ngjarja erdhi vetëm pak ditë pasi Sterling kishte luajtur ndeshjen e fundit me Feyenoord, klub ku u transferua në shkurt. Në Holandë ai regjistroi vetëm tetë paraqitje dhe nuk arriti të rikthente formën që dikur e kishte bërë një nga futbollistët më të rrezikshëm në Angli.
Karriera e tij nisi të marrë tatëpjetën pas largimit nga Manchester City. Sterling kishte shkëlqyer nën drejtimin e Pep Guardiolës, duke shënuar 120 gola dhe dhënë 77 asistime, ndërsa fitoi katër tituj të Premier League. Më pas u transferua te Chelsea për rreth 56 milionë euro, por gradualisht humbi rëndësinë në skuadër.
Me ardhjen e Enzo Marescës, Sterling mbeti jashtë planeve dhe u huazua te Arsenali. Edhe aventura me “Topçinjtë” nuk solli kthesën e pritur: 28 ndeshje, vetëm një gol dhe pesë asistime. Pas rikthimit në Chelsea, kontrata e tij u ndërpre me marrëveshje të përbashkët, ndërsa eksperienca e shkurtër te Feyenoord ishte një tjetër zhgënjim.
Nga një lojtar që në vitin 2019 vlerësohej rreth 160 milionë euro dhe që Guardiola e kishte cilësuar si një nga më të mirët që kishte trajnuar, Sterling sot është pa klub dhe pret vendimin e gjykatës. Sipas raportimit, ai rrezikon deri në dy vite burg, megjithëse një dënim i tillë mund të pezullohet.











