Sfida Real Madrid–Inter në Champions League nuk vendos përballë vetëm dy nga klubet më të mëdha të Europës, por edhe dy realitete shumë të ndryshme ekonomike. Sipas Football Benchmark, vlera e Real Madridit arrin në 7.7 miliardë euro, ndërsa Interi, klubi më i vlefshëm në Itali, vlerësohet në 2.1 miliardë euro.
Diferenca është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Në sezonin 2002/03, Real Madridi kishte të ardhura prej 193 milionë eurosh dhe Interi 162 milionë. Në sezonin 2024/25, madrilenët arritën në 1.161 miliardë euro, ndërsa zikaltërit në 546 milionë euro.
Edhe stadiumet tregojnë qartë hendekun. “Santiago Bernabéu” gjeneroi rreth 360 milionë euro të ardhura në sezonin e fundit, katër herë më shumë se 90 milionë eurot e “San Siros”. Interi shpreson ta ngushtojë këtë diferencë me stadiumin e ri, që sipas planit pritet të hapet në vitin 2031.
Real Madridi dominon edhe në aspektin global, me afro gjysmë miliardi ndjekës në rrjetet sociale dhe marrëveshje sponsorizimi që i sjellin rreth 240 milionë euro në vit nga fanella. Interi ka kaluar 100 milionë ndjekës dhe gjeneron rreth 72 milionë euro nga sponsorët kryesorë të fanellës.
Megjithatë, të dy klubet kanë një pikë të përbashkët: qëndrueshmërinë financiare. Real Madridi e mbylli sezonin 2025/26 me 26 milionë euro fitim, duke regjistruar vitin e 26-të radhazi me bilanc pozitiv, ndërsa Interi është pranë fitimit për sezonin e dytë radhazi.











