Protesta e zhvilluar këtë të martë para Kuvendit të Shqipërisë është përshkallëzuar në tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të Policisë.
Incidenti ka nisur pranë qendrës tregtare Toptani, ku disa protestues kanë qëlluar me vezë automjetin e deputetes së Partisë Socialiste, Ilva Gjuzit, e cila po largohej nga seanca plenare.
Pas incidentit, efektivët e Policisë kanë ndërhyrë për të hapur rrugën dhe për të mundësuar largimin e automjetit të deputetes. Ndërhyrja është shoqëruar me përplasje me protestuesit.
Gjatë situatës së tensionuar, Policia ka shoqëruar gazetarin dhe aktivistin Shpend Gashi, si dhe kreun e partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Protesta vijon para Parlamentit, ndërsa forcat e Policisë ndodhen në terren.










