Një nga personat më të kërkuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) në SHBA raportohet se është arrestuar nga ushtria meksikane, duke shkaktuar përplasje të armatosura në shtetin e Sinaloas.
Bëhet fjalë për Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “El Chapo Isidro”, i cili dyshohet se drejton organizatën kriminale Meza-Flores, e njohur edhe si Los Mazatlecos, me bazë në qytetin e Guasaves.
Lajmi për arrestimin e tij është raportuar nga disa media meksikane, ndërsa CNN thekson se është në pritje të konfirmimit zyrtar nga autoritetet e vendit.
Sipas FBI-së, Meza Flores dyshohet se është përfshirë në posedimin, shpërndarjen dhe importimin në SHBA të sasive të mëdha të heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marijuanës. Për informacione që do të çonin në arrestimin e tij, autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Operacioni për kapjen e tij u shoqërua me përplasje të dhunshme mes ushtrisë meksikane dhe personave të armatosur në Guasave. Të shtënat shkaktuan panik edhe në stadiumin Kuroda Park, ku po zhvillohej një ndeshje bejsbolli mes ekipeve Venados de Mazatlán dhe Algodoneros de Guasave.
Pamjet e transmetuara tregojnë lojtarët që largohen me nxitim nga fusha, ndërsa tifozët braktisin tribunat për t’i shpëtuar breshërive të armëve. Gjatë transmetimit, komentatorët njoftuan ndërprerjen e ndeshjes për shkak të një incidenti të sigurisë kombëtare.
Ndërkohë, pamje të verifikuara nga CNN tregojnë helikopterë të forcave meksikane të sigurisë duke fluturuar mbi qytet dhe duke qëlluar drejt tokës.
Autoritetet lokale konfirmuan se në Guasave kishte ndodhur një sulm ndaj personelit federal. Sipas dëshmive të banorëve, gjatë përleshjeve disa biznese dhe pika karburanti u përfshinë nga flakët, ndërsa persona të armatosur dyshohet se morën nën kontroll edhe spitale private.
Qeveria e Sinaloas u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të shmangin lëvizjet në rrugë deri në përfundimin e operacionit për rikthimin e rendit.
Meza Flores ishte akuzuar më parë në SHBA për trafik droge, në vitin 2012 dhe në vitin 2019, ndërsa organizata e tij ishte përfshirë në një konflikt të përgjakshëm territorial me Kartelin e Sinaloas, të drejtuar në atë kohë nga Joaquín “El Chapo” Guzmán, i cili aktualisht vuan dënimin në një burg amerikan./Marrë nga CNN











