Dy persona janë arrestuar nga Policia Kufitare në Korçë, pasi u kapën duke ndihmuar 28 shtetas sudanezë të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi, kundrejt pagesës.
Në kuadër të operacionit “Route” u arrestuan Denis Memini, 42 vjeç, banues në Korçë, dhe Ervis Dakolli, 31 vjeç, banues në fshatin Belorta. Sipas policisë, Dakolli ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Dy të arrestuarit u kapën në flagrancë në fshatin Plasë të Maliqit, ku dyshohet se kishin grumbulluar 28 shtetas sudanezë, me qëllim transportimin e tyre drejt veriut të vendit.
Sipas hetimeve paraprake, emigrantët transportoheshin në grupe prej 7-8 personash me automjete të ndryshme, për t’u dërguar më pas drejt kufirit me Malin e Zi dhe për të kaluar ilegalisht në territorin e këtij shteti.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi një automjet, 6500 euro dhe tre telefona celularë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimit.
Ndaj dy personave të arrestuar vijojnë procedurat për veprën penale që lidhet me ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit.











