Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përshkallëzohet në mënyrë të rrezikshme, ndërsa të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ushtarake, duke rritur tensionet në të gjithë rajonin e Gjirit Persik.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka përfunduar me sukses nata e tretë radhazi e bombardimeve ndaj objektivave iraniane në zonat Bushehr, Chabahar, Jask, Konarak, Abu Musa dhe Bandar Abbas.
Sipas ushtrisë amerikane, sulmet synojnë të dobësojnë kapacitetet e Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar, duke goditur sisteme të mbrojtjes, baza raketore, dronë dhe infrastrukturë detare. CENTCOM bëri të ditur gjithashtu se mbi 50 mijë trupa amerikane janë të dislokuara në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se ka goditur disa objekte ushtarake amerikane në Bahrein, përfshirë bazën detare në Jufair, ku ndodhen forcat amerikane. Për të tretën natë radhazi, autoritetet e Bahreinit aktivizuan sirenat e alarmit dhe u kërkuan qytetarëve të strehohen në vende të sigurta.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se dy cisterna nafte të vendit u goditën nga raketa iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Si pasojë e sulmit humbi jetën një marinar indian, ndërsa tetë persona të tjerë mbetën të plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë. Emiratet e cilësuan sulmin shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëruan se rezervojnë të drejtën për t’u kundërpërgjigjur.
Edhe Jordania raportoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan katër raketa iraniane që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit. Ndërkohë, Garda Revolucionare pretendoi se objektivi i raketave ishte një bazë ushtarake amerikane në territorin jordanez.
Pavarësisht përshkallëzimit të luftimeve, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një marrëveshje me Iranin mbetet ende e mundur.
“Po, mendoj se është e mundur një marrëveshje”, u shpreh ai nga Zyra Ovale. Megjithatë, Trump njoftoi rikthimin e bllokadës ndaj porteve iraniane dhe vendosjen e një tarife prej 20% mbi vlerën e mallrave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi reagoi me ironi ndaj vendimit amerikan, duke deklaruar se Irani ka qenë gjithmonë garantues i sigurisë në Hormuz dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, ndërsa e cilësoi tarifën e shpallur nga SHBA si të tepruar.
Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e së hënës, Trump paralajmëroi gjithashtu goditje edhe më të ashpra ndaj Iranit, duke deklaruar se objektiva strategjikë, përfshirë kompleksin nëntokësor bërthamor “Pickaxe Mountain”, do të jenë në shënjestër të operacioneve ushtarake amerikane.











