Pesë vite pas largimit të Daniel Craig nga roli i agjentit 007, gara për të gjetur pasardhësin e tij është kthyer në një debat të hapur në industrinë e filmit. Sipas raportimeve të mediave amerikane, disa aktorë të njohur kanë marrë pjesë në prova për filmin e 26-të të sagës së James Bond. Mes emrave që thuhet se kanë kaluar në fazën e testeve përfundimtare janë Callum Turner, Jack Lowden dhe Josh O’Connor, ndërsa së fundmi në listë janë përfshirë edhe Robert Pattinson dhe Nicholas Hoult.
Sipas raportimeve të Deadline dhe Variety, në mesin e kandidatëve të mundshëm përmenden gjithashtu këngëtari Harry Styles dhe aktori Theo James. Në moshën 32-vjeçare, Styles do të ishte kandidati më i ri, ndërsa James, 41 vjeç, më i moshuari mes emrave të përfolur. As aktorët dhe as Amazon MGM Studios nuk kanë komentuar zyrtarisht për procesin e përzgjedhjes. Aktori Josh O’Connor e ka përshkruar mundësinë për t’u konsideruar për rolin si një përvojë të pazakontë dhe emocionuese.
Producentja Amy Pascal ka thënë se vendimi pritet të merret deri në fund të vitit, duke theksuar se përzgjedhja po bëhet me shumë kujdes, pasi Daniel Craig ka vendosur një standard të lartë. Filmi i ardhshëm do të drejtohet nga regjisori Denis Villeneuve, i njohur për trilogjinë “Dune”. Ndërkohë, aktori Pierce Brosnan, i cili interpretoi Bondin në katër filma, ka shprehur mbështetje për Callum Turner, duke vlerësuar praninë dhe aftësitë e tij në ekran.











