Pas Arda Güler, Real Madridi ka zyrtarizuar edhe rinovimin e kontratës me Aurélien Tchouaméni, i cili do të qëndrojë në “Santiago Bernabéu” deri më 30 qershor 2032.
Mesfushori francez kishte kontratë deri në vitin 2028, por klubi dhe lojtari kishin arritur marrëveshjen prej muajit korrik për ta zgjatur bashkëpunimin edhe për katër vite të tjera.
Tchouaméni, aktualisht 26 vjeç, do të jetë pjesë e Real Madridit të paktën deri në moshën 32-vjeçare. Sipas raportimeve, paga e tij e re do të shkojë në rreth 9 milionë euro neto në sezon.
Real Madridi e konsideron francezin një pjesë kyçe të projektit të së ardhmes, ndërsa edhe José Mourinho e sheh si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Tchouaméni iu bashkua Realit në vitin 2022 nga Monaco për rreth 80 milionë euro dhe që prej atëherë ka regjistruar 205 paraqitje me fanellën e bardhë.
Në pesë sezonet e tij në Madrid, ai ka fituar tetë trofe: një Champions League, dy Botërorë për Klube, dy Superkupa të Europës, një La Liga, një Copa del Rey dhe një Superkupë të Spanjës.
Edhe pse disa klube, përfshirë Manchester United, kishin shfaqur interes për situatën e tij, dëshira e Tchouaménit ka qenë gjithmonë të vazhdojë te Real Madridi.
Mourinho ka krijuar një raport shumë të mirë me francezin që prej ardhjes së tij në stol dhe e vlerëson veçanërisht për intensitetin, forcën fizike dhe aftësinë për të mbuluar hapësira të mëdha në mesfushë.
Me rinovimin deri në vitin 2032, Real Madridi siguron një tjetër prej shtyllave të skuadrës pas marrëveshjes së re me Arda Güler.











