Portieri i Andorrës, Jesús Owono, po kalon momente jashtëzakonisht të vështira pas ndarjes nga jeta të Jesús de Miguel, futbollistit të Tenerife që u dëmtua rëndë pas përplasjes mes tyre gjatë ndeshjes.
Andorra reagoi përmes një deklarate, duke shprehur dhimbjen për tragjedinë.
“Me zemër të thyer dhe të shkatërruar, duam t’i dërgojmë ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së Jesús de Miguel, shokëve të tij, miqve dhe CD Tenerife. U prehtë në paqe.”
Owono ishte dukshëm i tronditur që pas përfundimit të ndeshjes. Sipas raportimeve, portieri 25-vjeçar u pa duke qarë dhe duke u lutur në dhomat e zhveshjes.
Situata u rëndua edhe më shumë nga mesazhet fyese dhe kërcënuese që ai mori në rrjetet sociale pas incidentit. Portieri ka mbyllur tashmë profilin e tij në Instagram, ndërsa llogaria e tij në X ka qenë joaktive prej kohësh.
Përplasja me De Miguel ishte një episod i lojës dhe nuk kishte qëllim për ta dëmtuar kundërshtarin. Persona pranë Owono kanë theksuar se portieri është thellësisht i prekur nga ajo që ndodhi.
Përpara se të konfirmohej lajmi tragjik, Owono kishte planifikuar të kontaktonte De Miguel dhe familjen e tij për t’u kërkuar falje, për t’u ofruar mbështetje dhe për t’u vënë në dispozicion për çdo nevojë.
Andorra pritet të reagojë sërish, ndërsa klubi dhe lojtarët vazhdojnë të përjetojnë orë tepër të vështira pas tragjedisë.











