Anthony Gordon ka folur në prag të sfidës së Champions League mes Barcelonës dhe Aston Villa, duke pranuar se ende nuk ka treguar versionin e tij më të mirë që prej transferimit në Katalonjë.
Anglezi e vlerësoi me notën 7 ose 7.5 fillimin e aventurës së tij te Barça, por theksoi se pret shumë më tepër nga vetja.
“Kam nisur mirë, duke pasur parasysh ndryshimin e klubit, vendit dhe skuadrës. Por mund të bëj më shumë. Kur të përshtatem plotësisht, do të shihni versionin tim më të mirë. Ende nuk e keni parë.”
Gordon pranoi se duhet të jetë më vendimtar në fazën sulmuese.
“I kërkoj vetes të shënoj dhe të asistoj, të jem lojtari që ndryshon ndeshjen. Duhet të jem më egoist, të mos pasoj aq shumë, të dribloj më tepër dhe të shënoj më shumë gola. Jam këtu për të fituar trofe.”
Ai foli edhe për presionin te Barcelona, duke theksuar se objektivat janë shumë më të mëdha se në eksperiencat e tij të mëparshme.
“Këtu ka më shumë presion, por unë dua të fitoj gjithçka dhe ky klub ma jep këtë mundësi.”
Për Aston Villa, Gordon tregoi respekt të madh.
“Është një skuadër shumë e mirë, me lojtarë cilësorë dhe një nga trajnerët më të mirë në botë. Do të jetë një sfidë e vështirë.”
Anglezi u ndal edhe te humbja në El Clásico, duke insistuar se Barcelona nuk ishte inferiore ndaj Real Madridit.
“Duhej ta kishim fituar Clásicon. Kemi skuadër më të mirë dhe krijuam më shumë raste, por nuk ishim në nivelin tonë më të mirë.”
Gordon foli gjithashtu për mënyrën se si përpiqet të ruajë qetësinë jashtë fushës, duke treguar se preferon leximin, shëtitjet dhe natyrën në vend të rrjeteve sociale.
“Leximi më ndihmon të qetësohem dhe të largoj stresin. Në TikTok apo Instagram mendja është gjithmonë në lëvizje. Më pëlqen qetësia, leximi dhe natyra.”











