“Arrest me burg” ka caktuar Gjykata e Durrësit për 25-vjeçarin Meklan Meça, i dyshuar për vrasjen e fqinjit të tij, 60-vjeçarit Rrapush Memolla.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 20 qershorit në lagjen “Mollaj” të Rrogozhinës.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti mes dy fqinjëve ka nisur rreth orës 21:50 dhe ka degjeneruar në përdorimin e mjeteve prerëse.
Si pasojë e plagëve të marra, 60-vjeçari humbi jetën, ndërsa autori pësoi lëndime të lehta në dorë.
Pas ngjarjes, policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar Meklan Meça.
Në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë, Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi ndaj tij masën “arrest në burg”.
Nga të dhënat e deritanishme, autoritetet dyshojnë se krimi ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ndërsa motivi i saktë që çoi në përplasjen fatale nuk është bërë ende i ditur.
Autori i dyshuar ka deklaruar se nuk ka dashur ta vrasë dhe se ka qenë Memolla ai i cili e ka goditur i pari.
“Në atë ngjarje kam qenë unë dhe viktima. Ai më ka goditur i pari dhe unë kam mbrojtur veten time. Nuk kam dashur ta vras. Edhe mua më vjen keq, unë nuk jam vrasës. Unë personalisht me atë personin,(viktimën) nuk kam pasur asnje konflikt, por kushëriri im ka pasur konflikte. Me mua nuk ka pasur asgje, nuk flisja me të”, deklaroi ai.











