José Mourinho ka paralajmëruar Real Madridin për vështirësinë e transfertës ndaj Valencias, vetëm pak ditë pas fitores dramatike në Athinë në Champions League.
“Është një nga ndeshjet më të vështira të gjithë kampionatit. Trajneri i tyre ka shumë eksperiencë, e di çfarë kërkon dhe ka një filozofi të qartë. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Kam pak frikë nga ndeshja e nesërme, ‘frikë’ në thonjëza”, deklaroi Mourinho.
Një nga shqetësimet kryesore të portugezit është lodhja. Real Madrid u kthye nga Greqia në orët e para të mëngjesit dhe skuadra nuk u largua drejt shtëpive.
“Mbërritëm në tre të mëngjesit, por qëndruam në Valdebebas. Askush nuk shkoi në shtëpi, në mënyrë që të fitonim edhe disa orë gjumë”, shpjegoi ai.
Mourinho nuk e fshehu as ironinë për faktin që Real Madrid duhet të luajë të shtunën, duke theksuar se disa prej lojtarëve më pas do t’u bashkohen kombëtareve.
“Konaté dhe Huijsen do të luajnë nesër. Falë vendimit që luajmë të shtunën, ata që do të shkojnë me kombëtaret do të jenë të freskët. Do t’u jap një ditë pushim…”, u shpreh portugezi.
Trajneri foli edhe për Federico Valverden, i cili ishte vendimtar me golin e fitores në minutat shtesë ndaj AEK.
“Ai është një profesionist i shkëlqyer dhe një mik i mirë për shokët e skuadrës. Nuk është një zë që dëgjohet çdo sekondë, por është shembull për të gjithë. Të jesh kapiten i Real Madridit nuk është e lehtë dhe kjo i ka dhënë edhe më shumë përgjegjësi.”
Mourinho u pyet gjithashtu për situatën e Vinicius Junior dhe ishte i qartë se interesat e skuadrës do të qëndrojnë gjithmonë mbi ato individuale.
“Për mua më e rëndësishmja është skuadra. Asnjëherë nuk kam dashur ta dëmtoj ekipin për të favorizuar një lojtar.”
Sipas tij, ndeshja në Athinë ishte një mundësi e përshtatshme për t’i dhënë minuta brazilianit dhe për ta ndihmuar të rikthehet në nivelin më të mirë.
“Një lojtar i dobët do të mbetet i dobët. Por një lojtar i mirë mund të ketë ditë të këqija. Vinicius do të vazhdojë të punojë dhe, kur të vendosim se kush luan, skuadra do të jetë gjithmonë përpara çdo individi.”
Në fund, Mourinho komentoi edhe supersfidën Atlético Madrid-Barcelona me stilin e tij karakteristik: “Do të doja që të humbnin të dyja”.
Për tragjedinë e Jesús de Miguel dhe debatin mbi pezullimin e ndeshjeve në Spanjë, portugezi u tregua më i përmbajtur, duke theksuar se familja dhe shokët e skuadrës së lojtarit janë ata që mund të dinë më mirë se si do të dëshironte ai të nderohej.











