Nico Paz po shndërrohet në një nga emrat më të spikatur të këtij edicioni të Champions League. Argjentinasi ishte sërish protagonist absolut në fitoren historike 9-1 të Comos ndaj Lens, duke realizuar një gol dhe duke dhënë dy asistime.
Skuadra e Cesc Fàbregas regjistroi fitoren më të thellë të arritur ndonjëherë nga një klub italian në kompeticionin më të rëndësishëm europian, ndërsa Nico Paz ishte në qendër të spektaklit.
Pas paraqitjes së madhe ndaj Manchester United, ku Como fitoi 4-1, mesfushori argjentinas shkëlqeu sërish dhe tashmë mediat italiane po e vendosin mes lojtarëve më të mirë të këtij sezoni në Europë.
“Corriere dello Sport” e vlerësoi me notën 9 për paraqitjen ndaj Lens, ndërsa Cesc Fàbregas mori notën 8. “La Gazzetta dello Sport” shkruan se Como tashmë mund të matet me klubet më të mira të Europës dhe se skuadra ka të drejtë të ëndërrojë përtej fazës së playoff-it.
Nico Paz u transferua përfundimisht te Como verën e kaluar, pasi klubi italian pagoi 60 milionë euro te Real Madrid për kartonin e tij. Megjithatë, madrilenët kanë ruajtur një klauzolë riblerjeje prej 80 milionë eurosh për verën e vitit 2027.
Inter gjithashtu vazhdon ta ndjekë me interes argjentinasin dhe e sheh si një prej emrave kryesorë për projektin e ardhshëm sportiv.
Nën drejtimin e Fàbregas, Como është kthyer në një nga surprizat më të mëdha të sezonit. Projekti i ndërtuar mbi lojtarë të rinj dhe teknikë po jep rezultate si në Itali, ashtu edhe në Europë.
“Një mbrëmje e bukur, gjithçka na shkoi mirë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të jemi të përulur dhe të vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Fàbregas pas ndeshjes.
Como aktualisht është në vendin e katërt në Serie A, pesë pikë larg kreut, ndërsa vazhdon rrugëtimin edhe në Kupën e Italisë dhe Champions League.
Për Nico Paz, ndërkohë, sezoni po kthehet në një konfirmim të madh: talenti, vizioni dhe ndikimi i tij në lojë po e bëjnë një nga “numrat 10” më të kërkuar në futbollin europian.











