Harry Kane ka rinovuar kontratën me Bayern Munich deri më 30 qershor 2029, ndërsa marrëveshja e re e bën atë futbollistin me pagën më të lartë në Europë.
Sipas “The Athletic”, kontrata e re e vendos sulmuesin anglez në krye për sa i përket pagës bazë, edhe pse futbollistë të tjerë mund ta kalojnë në të ardhura totale falë bonuseve. “Sky” raporton se Kane do të përfitojë rreth 25 milionë paund neto në sezon.
Sulmuesi 33-vjeçar kishte hyrë në vitin e fundit të kontratës së nënshkruar pas transferimit nga Tottenham në vitin 2023 për rreth 86 milionë paund, por tashmë ka vendosur ta vazhdojë aventurën në Gjermani.
“Te Bayern ndihem si në shtëpi. E dua klubin, tifozët dhe qytetin e Mynihut. Kemi një skuadër fantastike dhe një trajner të shkëlqyer si Vincent Kompany. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi”, u shpreh Kane.
Kapiteni i Anglisë theksoi gjithashtu se familja e tij është e lumtur në Mynih dhe se dëshira e tij ishte të qëndronte.
Kane vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku realizoi 61 gola në 51 ndeshje dhe ndihmoi Bayernin të fitonte kampionatin dhe kupën.
Në sezonin 2025/26 ai shënoi në total 73 gola në 65 ndeshje me Bayernin dhe Kombëtaren e Anglisë, ndërsa muajin e kaluar fitoi edhe “Topin e Artë”.
Që prej transferimit në Bundesliga, Kane ka regjistruar 102 gola në 102 ndeshje kampionati, ka fituar tri herë radhazi Këpucën e Artë dhe dy tituj kampionë.
Në total, ai numëron 156 gola në 161 paraqitje me Bayernin.
Rinovimi deri në vitin 2029 largon gjithashtu mundësinë e një transferimi të afërt te Barcelona, klub që kishte shfaqur interes prej kohësh, ndërsa edhe skuadra nga Arabia Saudite ishin lidhur me sulmuesin anglez.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur. Me Harry Kane kemi në skuadër fituesin e Topit të Artë, një lider dhe një nga sulmuesit më të kompletuar në botë”, deklaroi drejtori sportiv i Bayern Munich, Christoph Freund.
Me kontratën e re, Kane siguron të ardhmen e tij në Mynih deri në vitin 2029 dhe njëkohësisht ngjitet në majën e listës së futbollistëve më të paguar në Europë.











