Ndryshimi i qarkullimit të masave ajrore, të cilat gjatë ditës së shtunë vijnë nga veriperëndimi i Europës, do të sjellin në vendin tonë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta, ku herë pas here vranësirat do të pësojnë zhvillim, duke gjeneruar rrebeshe shiu, herë pas here në formë shtrëngate.
Sipas MeteoAlb, parashikohet që orët e pasdites të vijojnë me vranësira të shpeshta nëpër të gjithë territorin, ku në gjysmën lindore do të sjellin sërish rrebeshe afat-shkurtra shiu, në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës situata e motit do të përmirësohet përkohësisht.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të theksuar të tyre, duke luhatur vlerat ditore nga 13°C temperatura më e ulët e shënuar në Bulqizë, ndërsa maksimumi do të ngjitet deri në 33°C, përkatësisht në qarqet Lezhë, Durrës dhe Vlorë.
Era do të fryjë e fortë, duke arritur shpejtësinë mbi 65 km/h, nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor; për pasojë, në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim 5 ballë.











