Dr. Sanjay Gupta, korrespondenti kryesor i CNN për shëndetësinë, ngre alarmin për përhapjen e skepticizmit ndaj vaksinave, duke theksuar se përfitimet e tyre nuk janë çështje opinionesh, por fakte të mbështetura nga shkenca. Në një koment të publikuar këtë të martë, ai kujton se vaksinat kanë parandaluar miliona vdekje çdo vit në mbarë botën dhe kanë ndryshuar rrënjësisht mjekësinë moderne.
Gupta thekson se studimet shkencore, përfshirë një analizë të vitit 2014 që përfshiu 1.2 milionë fëmijë, nuk kanë gjetur lidhje mes vaksinave dhe autizmit. Ai sjell gjithashtu të dhëna që tregojnë se një reaksion i rëndë alergjik ndaj vaksinës së fruthit është jashtëzakonisht i rrallë. Sipas tij, efektet anësore të rralla marrin shpesh vëmendje të madhe, ndërsa sëmundjet dhe vdekjet që parandalohen nga vaksinimi mbeten të padukshme.
Duke kujtuar përvojën e tij gjatë epidemisë së Ebolës në Afrikën Perëndimore, ku njerëzit shpresonin për një vaksinë që nuk e kishin në dispozicion, mjeku nënvizon rëndësinë e kësaj mundësie. Ai thotë se vaksinoi fëmijët e tij jo vetëm për t’i mbrojtur ata, por edhe për të mbrojtur fëmijët e të tjerëve, duke vënë theksin te rëndësia e imunitetit kolektiv.











