Rrjeti shumë sekret që përdor Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara (NSA) për komunikimet e brendshme ka dalë jashtë funksionit. Lajmi është raportuar nga CNN, duke iu referuar gjashtë personave të njohur me situatën. Sistemi, i njohur si “NSA Net”, përdoret nga punonjësit për të shkëmbyer informacione të klasifikuara dhe të dhëna me nivel të lartë sekreti.
Sipas burimeve, ndërprerja ka detyruar agjencinë të ndryshojë oraret e paraqitjes në punë të personelit, në mënyrë që punonjësit të mos përpiqen të hyjnë njëkohësisht në sistem. Ndërkohë, disa aktivitete janë orientuar drejt strukturave të tjera të NSA-së. Deri më tani nuk ka prova që ndërprerja të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik.
Shkaku i saktë i problemit dhe kohëzgjatja e ndërprerjes mbeten të paqarta. Sipas raportimeve të mediave amerikane, problemi mund të lidhet me përditësime teknike të sistemit. Megjithatë, nuk ka të dhëna se janë prekur sistemet kryesore që agjencia përdor për mbledhjen dhe analizimin e inteligjencës elektronike. NSA nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.











