Éder Militão ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt rikthimit në fushë. Mbrojtësi brazilian është stërvitur sërish me shokët e skuadrës te Real Madridi, pesë muaj pas operacionit që e mbajti jashtë fushave.
Militão iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale më 28 prill pas këputjes së tendinit proksimal të bicepsit femoral. Më 28 shtator, saktësisht 153 ditë më vonë, ai mori pjesë në një pjesë të seancës së përbashkët në Valdebebas, së bashku me lojtarët që nuk janë grumbulluar me kombëtaret apo që po rikthehen nga dëmtimet.
Ditët e fundit kanë sjellë lajme shumë pozitive për brazilianin. Mjeku finlandez Lasse Lampainen, i cili e operoi në muajin prill, udhëtoi drejt Madridit për të kontrolluar nga afër ecurinë e rikuperimit. Militão kaloi me sukses testet fizike, pas muajsh pune të fokusuar te fleksibiliteti, forca, shpejtësia dhe intensiteti.
Vetë Lampainen konfirmoi se rikuperimi po ecën sipas planit. “Rikthimi në fushë është një moment i rëndësishëm. Objektivi është të rikthehet në nivelin e tij më të lartë”, shkroi mjeku, duke vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin me stafin mjekësor dhe atë të performancës së Real Madridit.
Që prej muajit gusht, Militão kishte punuar individualisht në një fushë pranë grupit, shpesh së bashku me Endrick, duke rritur gradualisht ngarkesën. Tani sfida e radhës nuk është vetëm rikthimi në ndeshje, por edhe rikthimi në formën që dikur e bëri një nga mbrojtësit më të vlerësuar në botë.
Vitet e fundit kanë qenë tepër të vështira për 28-vjeçarin. Në sezonin 2023-24 ai pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e majtë dhe qëndroi 231 ditë jashtë. Një sezon më vonë pësoi një tjetër këputje të plotë të ACL-së, këtë herë në gjurin e djathtë, së bashku me dëmtime në të dy meniskët, duke munguar edhe 255 ditë.
Edhe sezonin e kaluar braziliani vuajti nga katër dëmtime të tjera. Në total, që prej vitit 2023, Militão ka kaluar 781 ditë jashtë fushave për shkak të problemeve fizike, një periudhë që ka penguar vazhdimësinë e tij në nivelin më të lartë.
Për Militão këto kanë qenë ditë të veçanta edhe jashtë futbollit. Të shtunën ai u bë baba për herë të dytë dhe vetëm rreth 40 orë më vonë ishte sërish në fushën e stërvitjes. Pas një kalvari të gjatë, braziliani tashmë ka një objektiv të qartë: jo vetëm të luajë sërish, por të rikthehet në versionin e tij më të mirë.











