Dy aksidente të njëpasnjëshme janë regjistruar mëngjesin e sotëm në Tiranë, duke shkaktuar dëme materiale në disa automjete, por fatmirësisht pa të lënduar.
Përplasjet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërsa dyshohet se shkak janë bërë manovrat e parakalimit dhe mungesa e semaforëve në disa zona të kryeqytetit.
Ngjarja e parë është shënuar rreth orës 06:30 në rrugën e Don Boskos. Një taksi është përplasur me pjesën e pasme të një automjeti tip “Golf”, i cili nga goditja ka devijuar dhe është përplasur me një makinë tjetër, përpara se të përfundonte te bordura e rrugës.
Për shkak të aksidentit janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të plagosur. Një karrotrec ka mbërritur në vendngjarje për të larguar automjetet dhe për të shmangur pengesat në qarkullim.
Aksidenti i dytë është regjistruar rreth orës 07:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku janë përplasur një taksi dhe një automjet tip “Benz”. Pamjet e siguruara nga Newsbomb tregojnë automjetet e përfshira në aksident.
Edhe në këtë rast, përplasja ka përfunduar vetëm me dëme materiale, pa raportime për të lënduar.











