Lionel Messi ka mbajtur një fjalim të gjatë dhe emocional përpara një “Monumental”-i të mbushur plot, në mbrëmjen e lamtumirës së tij me kombëtaren e Argjentinës.
“Janë shumë emocione. Sigurisht, gjëja e parë që më vjen në mendje është babai im”, ishin fjalët e para të yllit argjentinas, i cili disa herë u ndërpre nga ovacionet dhe lotët.
Messi sqaroi gjithashtu atë që ndodhi në finalen e Botërorit ndaj Spanjës, duke hedhur poshtë zërat për diçka të pazakontë.
“E vërteta është se nuk ndodhi asgjë e çuditshme, siç po thonë disa. Ne dhamë gjithçka. Ndeshja ndaj Anglisë na konsumoi jashtëzakonisht shumë, fizikisht dhe emocionalisht. Arritëm deri në fund me shumë vështirësi, luftuam si gjithmonë, por fatkeqësisht nuk arritëm të bëheshim kampionë. Mos kini asnjë dyshim se secili prej shokëve të mi la gjithçka në fushë për këtë fanellë.”
Kapiteni falënderoi të gjithë ata që e shoqëruan gjatë rrugëtimit të tij me Argjentinën.
“Gjithçka që mund të bëj është të shpreh mirënjohjen time. Ka qenë shumë e rëndësishme për mua ta mbaj këtë fanellë për 20 vite. Nuk pushova kurrë së luftuari, së përpjekuri dhe së dëshiruari të jem gjithmonë këtu.”
Messi falënderoi veçanërisht shokët e skuadrës, duke i quajtur “luftëtarë” që dhanë gjithçka dhe e ndihmuan të fitonte trofetë më të mëdhenj.
Për largimin nga kombëtarja, ai pranoi se dhimbja do të jetë e madhe.
“Fakti që nuk do të kthehem më do të jetë një dhimbje e madhe. Do të doja të kthehesha gjithmonë, sepse të luash në Argjentinë është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë.”
Messi kujtoi gjithashtu një nga momentet më të bukura të karrierës së tij në “Monumental”, ndeshjen e parë pas triumfit në Botëror.
“Ende i shoh videot dhe emocionohem. Ishte spektakolare. Faleminderit shumë.”
Në fund, ai la edhe një mesazh për të ardhmen e kombëtares.
“Për të ndërtuar skuadra të forta, duhet të kesh grupe të bashkuara, sepse ka njerëz që duan ta shohin kombëtaren të dështojë dhe ne nuk duhet t’ua japim atë kënaqësi.”











