Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës dhe ajo e Krujës, gjatë dy operacioneve të zhvilluara brenda 24 orëve, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe evidentimin e personave që posedojnë armë në mënyrë të paligjshme.
Gjatë operacioneve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale tre armë, 17 kapsolla elektrike, municion luftarak, një shënjester optike, dy mjete prerëse dhe një peshore elektronike.
Në kuadër të operacionit të koduar “Qëllimi”, Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, arrestoi shtetasin A. Z., 36 vjeç, me precedent penal.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dy armë zjarri, konkretisht një pistoletë dhe një armë automatike, si dhe municion luftarak, një shënjester optike, dy mjete prerëse dhe një peshore elektronike.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Kontrolli”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin F. L., 28 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin Brret, policia gjeti një armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike, të cilat, sipas autoriteteve, posedoheshin pa leje.
Policia bën me dije se vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar përfshirjen e dy personave të arrestuar në veprimtari të tjera kriminale.











