Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri në territorin e vendit. Aktualisht, 4 vatra mbeten aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të operacioneve janë përdorur 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.
Situata më problematike vijon në Malin e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe zgjerim i vatrës së zjarrit. Operacioni vijon me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë të FA-së.
Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Në Vajkal po operojnë 38 forca të MZSH-së dhe bashkisë, si dhe 30 efektivë të FA-së. Në Sllatinë janë angazhuar 91 forca, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Gjatë natës është regjistruar edhe një tërmet me magnitudë 4.7, me epiqendër në njësinë administrative Vergo, bashkia Delvinë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk janë raportuar problematika në komunitet apo në infrastrukturë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.











