Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të vijojnë me Projektligjin për Specialen nëse Partia Demokratike e Kosovës zotohet publikisht se së paku gjysma e deputetëve të saj e mbështesin zgjedhjen e Bekim Sejdiut për president.
Ai, në një konferencë për media të martën, tha se është një mundësi unike që Sejdiu të zgjidhet president me votat e LVV-së, LDK-së dhe PDK-së.
“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i sigurojnë së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK-në në bazë të marrëveshjes politike, atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë.
Por kërkojmë nga PDK-ja publikisht që të zotohen para jush, opinionit dhe qytetarëve se së paku gjysma e grupit të tyre parlamentar mund të na sjellin në seancë dhe të votojnë qoftë edhe kundër për profesor Bekim Sejdiun.
Neve na kanë kërkuar votën për, katër herë kemi qenë të gatshëm. Unë po ia kërkoj votën kundër gjysmës së tyre për Bekim Sejdiun, që nuk është i LVV-së. Nëse ata dëshirojnë, për ne është në rregull, nuk ka kundërshtim. Ne jemi për edhe për kundërshtimin e tyre, por vetëm të marrin pjesë në seancë.
Me profesor Bekim Sejdiun e kemi një shans unik përpara. Edhe nëse nuk janë 18 të LDK-së, janë 11-12, edhe nëse PDK-ja nuk janë 22, a janë 11. A është Bedri Hamza vetë i 10 dhe po e zgjedhim presidentin.
Unë ju garantoj si kryetar i LVV-së dhe kryeministër që 62 deputetë të mazhorancës do të jenë aty për të votuar Projektligjin për Dhomat e Specializuara paraditen e së enjtes”, potencoi Kurti.
Kurti tregoi nëse ka komunikuar me Bekim Sejdiun, pasi ai është tërhequr nga kandidatura për president kohë më parë.
“Ai ishte dakord. Ai u tërhoq kur e pa që iu tërhoqën ata që nuk e respektuan kryesinë e tyre. Gjashtë deputetë të LDK-së tërhoqën mbështetjen e tyre, në kundërshtim me vendimin e LDK-së. Dikush prej atyre gjashtë ndoshta do të na bashkëngjitej.
Gjysma e PDK-së është më shumë se këta gjashtë, vetëm gjysma, dhe le të votojnë kundër nëse nuk janë për. Bekim Sejdiu ka qenë i gatshëm për çka e falënderoj të hyjë me vetëm 80 vota. Tash, ku do t’i thoshim se jemi më shumë se 80, nuk besoj se ai do të thoshte se nuk i intereson dhe shkoni në zgjedhje.
Nuk mund ta thërras sërish nëse nuk e kemi një situatë të tillë, por po kërkoj nga kryetari i PDK-së që publikisht të zotohet që së paku gjysma e grupit parlamentar të vijnë dhe e ka të përmbyllur menjëherë çështjen e leximit të dytë”, shtoi ai.











