Futbollistët në Spanjë kanë kërkuar që ndeshjet e kësaj fundjave të mos zhvillohen pas vdekjes tragjike të Jesús de Miguel, lojtarit të Tenerife.
Shoqata e Futbollistëve Spanjollë, AFE, bëri të ditur se ka komunikuar me lojtarë të niveleve të ndryshme dhe se qëndrimi i tyre ka qenë unanim: në kushtet aktuale emocionale dhe njerëzore, gara nuk duhet të vazhdojë normalisht.
“Rrethanat emocionale dhe njerëzore nuk janë të përshtatshme për ta zhvilluar kompeticionin si zakonisht”, thuhet në reagimin e sindikatës.
AFE kishte kërkuar që të gjitha kompeticionet në Spanjë të pezulloheshin për një javë, ndërsa tashmë ka marrë edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të futbollistëve.
Sipas sindikatës, lojtarët kanë shprehur pikëllimin e thellë për humbjen dhe mendojnë se pezullimi i kësaj jave do të ishte vendimi më i përshtatshëm në shenjë respekti, zie dhe solidariteti.
“Ka momente kur humanizmi, respekti dhe solidariteti duhet të jenë mbi çdo kompeticion”, theksohet më tej në deklaratë.
Federata Spanjolle e Futbollit, RFEF, ka pezulluar për tri ditë ndeshjet që organizon drejtpërdrejt, nga e marta deri të enjten, si shenjë zie. Megjithatë, federata synon që takimet e fundjavës të zhvillohen, të shoqëruara me homazhe për Jesús de Miguel para fillimit të çdo ndeshjeje.
Ndërkohë, LaLiga nuk ka dhënë ende një qëndrim publik për kërkesën e futbollistëve.
Deri tani janë shtyrë tri sfida: Granada-Tenerife, Andorra-Mallorca dhe Castellón-Eibar, ndërsa klubet kanë konfirmuar respektivisht ndryshimet në program.
AFE kërkon që pezullimi të zgjatet deri të hënën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse presioni i futbollistëve do të sjellë ndërprerjen e plotë të kësaj jave të futbollit spanjoll.











