Marrëveshja e re mes Milanit dhe Adidas pritet të ketë pasoja edhe te rivalët zikaltër. Sipas Gazzetta dello Sport, Inter po përgatitet të kërkojë rishikimin e kontratës me Nike, pasi drejtuesit e klubit e konsiderojnë vlerën aktuale të marrëveshjes më të ulët se pesha komerciale që skuadra ka arritur vitet e fundit.
Nga sezoni 2028/29, Adidas pritet t’i paguajë Milanit rreth 50 milionë euro në vit për dhjetë sezone. Marrëveshja do të nisë pas përfundimit të bashkëpunimit me Puma, që në sezonin 2025/26 i solli klubit kuqezi rreth 24.5 milionë euro nga sponsorizimi teknik.
Shifra prej 50 milionë eurosh pritet të përfshijë edhe bonuse sportive, furnizimin me materiale dhe fonde të dedikuara për marketingun, ndërsa marrëveshje të tilla përfshijnë zakonisht edhe përqindje nga shitja e produkteve.
Pikërisht ky zhvillim ka ngritur shqetësimin te Interi.
Zikaltrit rinovuan me Nike në vitin 2023, duke siguruar një rritje prej rreth 70% krahasuar me kontratën e mëparshme, por aktualisht përfitojnë rreth 28 milionë euro në sezon.
Sipas Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Interit mendojnë se kjo shifër nuk pasqyron më rritjen sportive dhe komerciale të klubit.
Në katër vitet e fundit, Inter ka fituar dy tituj kampionë dhe ka arritur dy finale të Champions League, ndërsa të ardhurat nga stadiumi, sponsorët dhe merchandising-u janë rritur ndjeshëm.
Vetëm në sezonin 2025/26, të ardhurat nga stadiumi arritën në 92 milionë euro, ndërsa sponsorizimet dhe aktivitetet komerciale sollën 151 milionë euro.
Klubi ka zgjeruar gjithashtu portofolin e partnerëve me marrëveshje të rëndësishme me kompani si Betsson, BBVA, BYD, Coca-Cola, Red Bull dhe Budweiser.
Kontrata me Nike skadon në vitin 2031, por Inter nuk dëshiron të presë edhe pesë vite me kushtet aktuale. Objektivi është rinegocimi i marrëveshjes dhe rritja e të ardhurave nga sponsori teknik.
Situata mund t’i japë Interit edhe një avantazh të rëndësishëm në të ardhmen. Juventus është i lidhur me Adidas deri në vitin 2037, ndërsa Milan pritet të ketë marrëveshje me kompaninë gjermane deri në vitin 2038.
Kjo do ta linte Interin si një nga klubet më të mëdha italiane ende të hapur për kompani të tjera që kërkojnë të hyjnë fuqishëm në tregun e Serie A.










