Barcelona ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Raphinhan, i cili do të qëndrojë në “Camp Nou” deri më 30 qershor 2030.
Braziliani, i cili iu bashkua klubit katalanas në verën e vitit 2022, është kthyer në një nga figurat kryesore të skuadrës dhe tashmë ka firmosur kontratën e re.
“Nëse ndihem mirë fizikisht dhe trupi im i përgjigjet asaj që kërkojnë klubi dhe trajneri, do të isha shumë i lumtur të vazhdoja deri në vitin 2030 dhe ndoshta edhe pak më gjatë”, është shprehur Raphinha, duke përsëritur dëshirën për ta mbyllur karrierën te Barcelona.
Kapiteni brazilian po zhvillon një sezon të shkëlqyer. Ai numëron 15 gola në La Liga dhe katër të tjerë në Champions League, duke qenë një nga armët kryesore të skuadrës së Hansi Flick.
Raphinha po ngjitet gjithashtu në librin e rekordeve të klubit. Në ndeshjen ndaj Aston Villa barazoi Adriano Correian dhe u bë braziliani i katërt me më shumë paraqitje në historinë e Barcelonës.
Dy golat e shënuar ndaj skuadrës angleze e çuan gjithashtu në kuotën e 23 golave me Barcelonën në Champions League, po aq sa Robert Lewandowski.
Me këtë shifër, Raphinha renditet i treti mes golashënuesve më të mirë të Barcelonës në historinë e kompeticionit, pas Lionel Messit me 120 gola dhe Luis Suárezit me 25.
Braziliani ka arritur gjithashtu kuotën e 94 golave me fanellën blaugrana, duke barazuar rekordin e Ronaldinhos.
Me rinovimin deri në vitin 2030, Barcelona siguron vazhdimësinë e një prej liderëve të skuadrës, një futbollisti që vitet e fundit është shndërruar në një nga pikat kryesore të projektit të klubit.











