Jorge Jesus ka reaguar pas deklaratës së gjatë të Cristiano Ronaldos, në të cilën kapiteni i Portugalisë dha versionin e tij për konfliktin që çoi në largimin nga grumbullimi i kombëtares.
Trajneri portugez zgjodhi të mos e zgjasë polemikën dhe u mjaftua me pak fjalë për gazetarët që e prisnin përpara shtëpisë së tij.
“E kam lexuar deklaratën. Tani, siç bëj çdo ditë, do të shkoj në Federatë për të punuar, për të menduar për ekipin dhe për kombëtaren portugeze. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar”, deklaroi Jesus.
Reagimi erdhi pas një mbrëmjeje të ngarkuar për trajnerin e Portugalisë. Ai kishte qenë në Leiria për të ndjekur ndeshjen e Portugalisë U-21 ndaj Çekisë, ndërsa pak më vonë mediat nisën të publikonin deklaratën e Ronaldos.
Në letrën e tij, pesë herë fituesi i Topit të Artë pranoi se kishte gabuar duke u larguar nga grumbullimi, deklaroi se ishte i gatshëm të pranonte një dënim dhe theksoi se mbetet i hapur për t’u rikthyer te kombëtarja.
Sipas shtypit portugez, megjithatë, deklarata e Ronaldos nuk ishte një surprizë për rrethin e Jorge Jesus. Teksti raportohet se ishte i njohur paraprakisht dhe publikimi i tij ishte autorizuar si pjesë e përpjekjeve për të afruar sërish palët.
Për këtë arsye, deklarata e parë e Jesus se ende nuk e kishte lexuar letrën është interpretuar si një përpjekje për të shmangur komente të tjera në një situatë tashmë shumë delikate.











